Takim përshëndetës me stafin e Ministrisë së Brendshme i Z. Bujar Nishani pas zgjedhjes në postin e Presidentit të Republikës. Dt.12.06.2012

Ministri i Brendshëm i dorëhequr Z.Bujar Nishani, pas zgjedhjes në postin më të lartë të shtetit si President i Republikës, zhvilloi sot një takim përshëndetës me të gjithë punonjësit e Ministrisë së Brendshme, gjatë të cilit shprehu falenderimet për stafin drejtues dhe specialistët, vlerësoi bashkëpunimin e përkushtimin e tyre si edhe vuri në dukje profesionalizmin dhe përkushtimin e gjithësecilit. Në fjalën e rastit ai bëri një rezyme të arritjeve dhe momenteve më të rëndësishme që ka pasur në periudhën e drejtimit të kësaj Ministrie, duke nënvizuar se ndihet krenar për arritjet dhe kontributet e të çdonjërit.

“Kam qenë i privilegjuar të punoj me të gjithë ju, ka qenë një kohë jo e pakët dhe me një rikthim në këtë institucion. Dhe ne sot kemi gjithë të drejtën që së bashku, të jemi krenarë për shumëçka jemi përpjekur, kemi bërë dhe kontribuar”, tha  z.Nishani.

Më tej, duke  përmendur disa nga arritjet e Ministrisë, ai theksoi se procesi për prodhimin e letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike, është një arritje e madhe për vendin, elementë të drejtpërdrejta këto që, – së bashku me arritjet e  Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar, – ishin ndër faktorët kryesorë që ndikuan në procesin e liberalizimit të vizave në zonën Shengen.

Z. Nishani më pas tha se: “Dëshiroj që në mënyrë të veçantë të shpreh vlerësim për atë që dhe qytetarët e këtij vendi na kanë dhënë vlerësime, – mos harrojmë se administrata e Ministrisë së Brendshme, strukturat e saj, për aq sa i ka takuar në bazë të ligjit dhe detyrimeve, kanë qenë pjesë e infrastrukturës zgjedhore në zgjedhjet e 2009 e 2011. Keni qenë ju, me profesionalizmin dhe gatishmërinë tuaj, që të sillni  një risi të rëndësishme në infrastrukturën zgjedhore, që nga Regjistri i Gjendjes Civile, i bërë për herë të parë i vlefshëm, në dispozion të qytetarëve, falë kontributit edhe të mjaft specialistëve që punuan me përkushtim e profesionalizëm”.

Ministri Nishani bëri një vlerësim të posaçëm edhe për strukturat e pushtetit vendor, të cilat kanë përballuar situata të vështira në mbrojtje të jetës dhe sigurisë së qytetarëve, për shkak të rrethanave të motit, në dimër e në verë.

“Unë sot personalisht kam një bilanc shumë të madh për të bërë, në bashkëpunimin që kam pasur me ju, me të gjithë punonjësit e Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, administratës së prefekturave dhe institucioneve të varësisë prej saj,” – vuri në dukje ai.

Në fund të përshëndetjes Nishani tha: “Besojeni që kjo që po ju them, është e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë. Secili prej nesh ka një pozicion të caktuar dhe, i nderuar mbetet ai që këtë kontribut e jep maksimalisht, në formën dhe mënyrën më të drejtë dhe më të mirë të mundshme,” theksoi në fjalën e tij përmbyllëse ish ministri i Brendshëm dhe Presidenti i sapozgjedhur, z.Bujar Nishani.