Ministri i Brendshëm Z. Flamur Noka, u takua me ambasadorin e Republikës së Italisë në Tiranë, z. Massimo Gaiani. Dt.28.07.2012

Ministri i Brendshëm Z. Flamur Noka, u takua sot me ambasadorin e Republikës së Italisë në Tiranë, z. Masimo Gajani (Massimo Gaiani). Ministri Noka i shprehu ambasadorit Gajani vlerësimet më të larta për bashkëpunimin mes ministrive homologe dhe gjithë strukturave në varësi të tyre, një bashkëpunim i shkëlqyer që ka forcuar maksimalisht edhe frymën e besimit reciprok.

“Intensiteti i marrëdhënieve, shtrirja e tyre në të gjithë sektorët, numri shumë i madh i marrëveshjeve dypalëshe, e bëjnë pa dyshim Italinë një vend lider në marrëdhëniet që Shqipëria ka me shtetet e tjera. Lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, gjurmimit dhe asgjësimit të grupeve kriminale, të cilat kanë përfunduar me rezultatet më të mira, janë tregues i qartë i frymës së bashkëpunimit dhe besimit të plotë reciprok”, nënvizoi, ndër të tjera, ministri Noka.

Gjithashtu, z. Noka përfitoi nga ky takim për të shprehur mirënjohjen e thellë për ndihmën shumëvjeçare të dhënë nga “Guardia di Finanza”, në kuadrin e Protokollit të Mirëkuptimit ndërmjet dy Qeverive, por edhe në fushën e Emergjencave civile.

Ambasadori i Republikës së Italisë z. Gajani, pasi i uroi z. Noka suksese në detyrën e Ministrit të Brendshëm, i shprehu nga ana e tij vlerësimin e lartë për frymën e bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe besimit të plotë reciprok, që ekziston jo vetëm mes dy ministrive respektive, por edhe në të gjitha strukturat në varësi të tyre.

Në përfundim të takimit, si Ministri Noka ashtu dhe ambasadori Gajani shprehën bindjen dhe besimin e plotë se ky nivel i lartë i bashkëpunimit do të vijojë edhe në të ardhmen, madje edhe më intensivisht, në të gjitha fushat dhe sektorët me interes të përbashkët.