Ministri i Brendshëm z. Flamur Noka, priti në një takim të Ngarkuarin me Punë të Suedisë z. Patrik Svensson. Dt.10.09.2012

Ministri i Brendshëm z. Flamur Noka, priti në një takim të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së Mbretërisë së Suedisë në Tiranë z. Patrik Svensson. Gjatë takimit Ministri Noka, ndër të tjera, çmoi kontributin e qeverisë suedeze për projektet mbi qeverisjen vendore dhe decentralizimin, si edhe projektin për policimin në komunitet.

“Mbetemi totalisht të përkushtuar në zbatimin e plotë të projektit lidhur me policimin në komunitet, pasi është e ardhmja në thelbin e marrëdhënive të qytetarit me Policinë, por edhe për projektet e tjera me interes të përbashkët”, nënvizoi Ministri Noka.

Nga ana e tij z. Svensson theksoi se Suedia do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën e integrimit europian, pasi vendi i tij është një ndër vendet që përkrah pa asnjë rezervë zgjerimin e BE-së.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për sa i përket nivelit shumë të mirë dhe efektiv të bashkëpunimit dhe shprehën bindjen se ky bashkëpunim do të vijojë duke u forcuar në të ardhmen dhe duke u konkretizuar me projekte të tjera konkrete.