Fjala e Ministrit të Brendshëm z.Flamur Noka në ceremoninë e betimit dhe certifikimit të Kursit të VII-të. Dt.11.09.2012

I nderuar Zoti Zëvendës Ambasador i SHBA,

I nderuar Zoti Stiv Benet,

I nderuar Zoti Drejtor i Përgjithshëm,

Të nderuar kursantë të shkollës bazë dhe familjarë të punonjësve të policisë,

Zonja dhe zotërinj,

Është satisfaksion i veçantë  të ndodhem sot mes jush,  në kuadër të Ceremonisë së Certifikimit të punonjësve të policisë, të cilët kanë përfunduar me sukses Kursin e Shtatë 22 javor të Shkollës Bazë të Policisë, për Patrullë të Përgjithshme.

Të nderuar kursantë të Shkollës Bazë,

Kjo ditë përbën për ju një ditë të shënuar në fillimin e karrierës si punonjës të Policisë së Shtetit, pasi keni marrë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të qenë pjesë integrale e saj.

Gjatë këtyre 22 javëve ju keni mundur të përvetësoni njohuritë, kërkesat dhe standardet e shërbimeve policore, sipas modeleve më të përparuara të vendeve Euroatlantike. Me kënaqësi veçoj faktin se një numër jo i vogël mes jush janë gra dhe vajza, që do të kenë mundësinë për të qënë punonjëse të Policisë, çka e konsideroj një tjetër arritje për të gjithë trupën e policisë, por edhe për rolin që po merr dita ditës gruaja në shoqërinë tonë. Dhe për këtë, më lejoni të shpreh konsideratën më të lartë për iniciativën tuaj për këtë profesion të vështirë, por gjej rastin të përgëzoj edhe familjet tuaja, të cilat ju kanë mbështetur dhe do të jenë gjithmonë përkrah jush.

Të dashur kursantë!

Ju keni mundur të njiheni gjatë kësaj periudhe me teoritë dhe praktikat më të avancuara në fushën e policimit. Dhe kjo është një arritje. Por, mos harroni se puna e deritanishme është një qasje teorike.

Tashmë ju do të përballeni me sprovën e fundme, atë të Programit të Trajnimit në Terren për një periudhë 22 javore, në përfundim të së cilës ju do fitoni të drejtën për të qënë punonjës të Patrullës së Përgjithshme të Policisë.

Të jeni të bindur se zbatimi në praktikë i njohurive të marra deri më tash, do ketë vështirësitë e veta. Praktika është forma më e lartë e konkretizimit të asaj çka ju keni përvetësuar me përkushtim gjatë gjithë kësaj kohe. Do të përballeni me vështirësi të natyrave të ndryshme, me aksione konkrete në dobi të rendit dhe sigurisë publike. Shpreh bindjen se, ashtu si deri tani, ju do të arrini që me përkushtim të lartë dhe ndërgjegjie profesionale të zbatoni detyrat dhe përgjegjësitë tuaja.

Të nderuar pjesëmarrës,

Shqipëria është sot më afër se kurr ëndrrës së saj për të qënë pjesë integrale e Bashkimt Europian. Është një fazë e cila kërkon nga Policia e Shtetit përmirësim të mëtejshëm të parametrave të rendit e sigurisë publike, rritjen e efiçencës edhe të agjensive të tjera të zbatimit të ligjës.

Në funksion të arritjes së këtyre parametrave, Qeveria Shqiptare që prej vitit 2005  e në vijim, është investuar në luftën pa kompromis ndaj krimit dhe paralelisht, në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Në funksion të këtyre objektivave ne kemi ndërmarrë reforma të ndryshme, nëpërmjet të cilave kemi synuar dhe synojmë në ndërtimin e një shërbimi policor bashkëkohor, sipas standarteve më të përparuara të vendeve Euroatlantike, duke i dhënë përparësi formimit profesional dhe karrierës, nëpërmjet një procesi konkurrues,  transparent dhe të bazuar në meritokraci.

Në këtë proces të vazhdueshëm të zhvillimit e të përmirësimit tonë, ne kemi gjetur mbështetjen e përhershme të partnerëve tanë. Përfitoj nga rasti për të falënderuar stafin dhe drejtuesit e Programit ICITAP, për kontributin e madh që kanë dhënë dhe vijojnë të japin në këtë drejtim.

Shpreh bindjen e thellë dhe siguroj komunitetin se të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit mbeten të vendosur për të përmirësuar në maksimum punën e Policisë së Shtetit, duke filluar nga shkollimi i efektivave të rinj, trajnimet e tyre në vijimësi të punës, përpjekjen e palëkundur për të mbajtur të pastër dhe me integritet figurën morale dhe profesionale të efektivit të policisë së shtetit.

Është një  detyrë e vështirë, por aspak e pamundur. Lufta ndaj krimit, është një luftë që s’ ka të ndalur. Policia e Shtetit është struktura kryesore për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, luftës kundër krimit, kontrollin e mbikëqyrjen e kufirit shtetëror dhe zbatimit të ligjit. Reformat e plota që janë kryer në këtë agjenci kanë bërë të mundur që sot të kemi një tupë profesionistësh, në shërbim të plotë ndaj komunitetit. Ju jeni antarët më të rinjë të kësaj trupe. Ju do të jeni pjesë integrale e luftës kundër çdo krimi, personave të inkriminuar, luftës kundër korrupsionit, trafiqeve të paligjshme dhe lëndëve narkotike. Ju do jeni pjesë e pandashme e kësaj organizate e cila mbron pronën publike dhe atë private.

Në këto vite të fundit janë shënaur rezultate shumë pozitive në luftën kundër krimit, narkotrafiqeve, terrorizmit, akteve korruptive. Kjo luftë me teolerancë zero ndaj krimit dhe aseteve kriminale e ka bërë Shqipërinë tashmë një vend të sigurtë dhe faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon dhe më gjerë.

Ju jeni gjenerata me e re, që po i bashkoheni kësaj trupe që dëshmon standardet dhe kapacitetet më të larta profesionale, konfrom parametrave të Bashkimit Europian, një tjetër shembull i qartë i hapave që ka bërë vendi ynë gjatë këtyre viteve të fundit. Por nuk duhet të harroni se, vetëm një efektiv policie, me ndërgjegjie të lartë profesionale dhe mbi të gjitha, figurë të pastër morale, është garant ndaj kësa lufte pa kompromis kundër krimit, garant për zbatimin e ligjës, goditës i paepur i korrupsionit, gjithmonë në shërbim të qytetarit.

Të dashur kursantë!

Ju përgëzoj sërish për rezultatet e arritura, përfundimin me sukses të Shkollës Bazë të Policisë dhe t’ ju uroj suksese gjatë trajnimit në terren dhe më tej, gjatë punës tuaj si punonjës policie. E nderofshi gjithmonë uniformën, familjen tuaj, vendin tuaj!

Ju faleminderit!