Viti që sapo lamë ishte shënoi një progres të qenësishëm drejt integrimit të vendit në familjen europiane. Plotësimi i Rekomandimeve, konform kërkesave dhe pritshmërisë së Bashkimit Europian ishte nje sfide madhore, të cilën e përballuam me shumë sukses, falë vullnetit të hekurt politik të Qeverisë për plotësimin e tyre.
Në këtë ndërmarrje kaq të suksesshme, Ministria e Brendshme ishte institucion përgjegjës për përmbushjen e disa prej rekomandimeve. Por, edhe strukturat dhe agjencitë e zbatim të ligjit, në varësi të saj, e kryesisht Policia e Shtetit, morën vlerësimet më të mira për rezultatet e arritura në luftën kundër krimit, korrupsionit, pastrimit të parave, sekuestrimin e aseteve kriminale, etj.
Më lejoni, që bazuar në kërkesën e Komisionit, të prezantoj një raport të detajuar mbi situatën e sigurisë dhe rendit publik dhe punën e bërë nga agjencitë e zbatimit të ligjit gjatë vitit 2012.
Është e dukshme, e prekshme dhe lehtësisht e konstatueshme nga të gjithë se, situta e rendit dhe sigurisë në vend ka përmirësime shumë pozitive.
Prioritetet kryesore, sikundër parandalimi dhe goditja e krimit, trafiqeve të çdo lloji, në funksion të rritjes e mëtejshme të nivelit të sigurisë dhe rendit publik, në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarit, u pëmbushën me sukses gjatë vitit të shkuar.
Lufta kundër trafikut dhe kultivimit të lëndëve narkotike
Në kuadër të luftës kundër krimit, evidentimit dhe hetimit të veprave penale, në fushën e drogës edhe gjatë u shënuan rezlutate mjaft pozitive.
Në vitin 2012 u evidentuan 962 vepra penale në fushën e drogës. Krahasuar me vitin 2011 janë rritur me: 47.3 % numri i rasteve të lëndëve narkotike të kapura; 29.4 % numri i autorëve të proceduar penalisht, si dhe me 13.7 % numri i autoreve të arrestuar apo ndaluar.
Gjithashtu, është rritur sasia e lëndëve narkotike të sekuestruar në krahasim me vitin e kaluar dhe konkretisht; 3 herë më shumë heroinë, 2 herë më shumë kokainë, 3 herë më shumë kanabis.
Gjatë vitit 2012 janë evidentuar 148 raste të kultivimit, nga të cilat janë zbuluar 107 ose 69.5 % e tyre, si dhe janë asgjesuar 31. 000 bimë narkotike. Janë identifikuar 142 autorë, nga të cilët 95 të arrestuar e ndaluar, 21 në gjendje të lirë dhe 26 në kërkim.
Krahasuar me vitin 2011, kemi të evidentuar 65 raste më shumë, zbuluar 52 raste më shumë, me 63 autorë më tepër, nga të cilët 48 arrestuar më shumë, si dhe asgjesuar 11.733 bimë narkotike kanabis sativa më shumë, krahasimisht me vitin 2011.
Sikundër, rezultoi edhe nga monitorimi i përbashkët nga ajri me ekspertët italinë, sipërfaqja e mbjellë me bime narktokike është përgjysmuar, krahasuar me vitin 2011.
Në fushën e trafiqeve të paligjshme janë referuar dhe hetuar 607 vepra penale. Strukturat kundër narkotikëve dhe trafiqeve të paligjshme, gjatë vitit 2012, kanë evidentuar e goditur 59 grupe kriminale, realizuar 92 operacione policore si dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtare u kryen 67 operacione të tjerë. Kjo luftë me zero tolerancë, ka bërë që Shqipëria të mos jetë më një korridor i preferuar për tranzitin e drogave të forta, çka konstatohet edhe nga raportet e partenrëve tanë nërkombëtarë.
Lufta kundër krimit ekonomik, korrupsionit dhe pastrimit të parave dhe Hetimi i aseteve Kriminale
Lufta kundër krimit ekonomik, korrupsionit dhe pastrimit të parave dhe sekuestrimit të aseteve kriminale edhe për vitin 2012 mbeti një nga prioritetet kryesore. Në këtë periudhë janë evidentuar gjithsej 2. 469 vepra penale ose 20% më shumë se në vitin 2011, u kryen 72 operacione policore, ose 3 më shumë se një vit më parë.
Në drejtim të hetimit të aseteve kriminale, strukturat përkatëse kanë shënuar tregues të kënaqshëm. Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda u dërguan 87 materiale referuese nga 44, gjatë vitit 2011, si dhe një numër të konsiderueshëm shtetasish të dyshuar për verfikim. Në krahasim me një vit më parë numri i materialeve referuese për Prokurorinë e Krimeve të Rënda është dyfishuar, ndërsa rastet e referuara në prokurori vetëm për pastrim të produkteve të veprës penale, u rritën me 32% më shumë, se në vitin 2011.
Vlera e pasurive të sekuestruara për veprën penale të pastrimit të parave, veprimtarisë kriminale dhe aseteve kriminale të sekuestruara dhe të konfiskuara për këtë vit është 13 milionë euro, nga 7.5 milion të sekuestruara në vitin 2011.
Vetëm strukturat e Sektorit kundër krimit ekonomik dhe financiar gjatë vitit 2012, kanë evidentuar 1794 vepra penale, nga të cilat u zbuluan 1725, ose 96 % e tyre, me 1946 autor, prej te cilëve 156 te arrestuar dhe ndaluar, 1770 te hetuar ne gjendje te lire dhe 20 të shpallur në kërkim.
Nga krahasimi i treguesve më një vit më parë rezulton se gjatë vitit 2012 u evidentuan 254 vepra penale më shumë se në vitin 2011, ose është arritur të rritet zbulimi dhe evidentimi i veprave penale në fushën e krimeve ekonomike në masën 16 %. Gjatë këtij viti gjithashtu u proceduan penalisht 297 autor me shumë, si dhe u arrestuan 8 autorë më tepër.
Treguesit e Luftës Kundër Krimit Kompjuterik:
Për vitin 2012 nga strukturat e hetimit të krimeve kompjuterike janë evidentuar 83 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 54 prej tyre, me 71 autorë, 5 të arrestuar në flagrancë dhe 66 në gjëndje të lirë.
Korrupsioni
Për veprat penale të korrupsionit pasiv dhe aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike janë evidentuar 99 raste ose 54 % më shumë se vitin e kaluar, me 194 zyrtare të proceduar penalisht, prej të cilëve 49 të arrestuar dhe të tjerët të hetuar në gjendje të lirë. Gjatë vitit 2012, nga strukturat e luftës kundër korrupsionit janë kryer hetime proaktive për 75 raste, nga 51 që u kryen në vitin 2011.
Lufta kundër trafikut të qënieve njerëzore
Suksesi në luftën ndaj trafikimit të personave, vlerësohet edhe në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2012. Shqipëria vazhdon të mos jetë vend tranziti për trafikimin e personave. Gjatë vitit 2012 u miratuan dhe u zbatuan me sukses Procedurat Standarde të Veprimit për Identifikimin dhe Referimin e Viktimave dhe Viktimave të Mundshme të Trafikimit. Ndërsa nga qershori 2012 viktimat e trafikimit përfitojnë shërbim shëndetësor falas. Nga operacionet e përbashkëta me autoritetet policore italiane dhe gjermane u bë e mundur arrestimi i 39 shtetasve të përfshirë në të kaluarën në trafikimin e femrave.
Forcimi i masave parandaluese për garantimin e rendit e sigurinë publike
dhe krimet e rënda.
Evidentimi i plotë dhe i saktë i veprave penale
Gjatë këtij viti janë evidentuar nga strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin 20. 688 vepra penale ku përfshihen krimet e kundravajtjet penale. Krahasuar me një vit më parë kemi një rritje me 17.2% më shumë.
Ky tregues në rritje i evidentimit të veprave penale është;
- provë e objektiviteit parësor të strukturave të Polivcisë së Shtetit për të evidentuar çdo vepër penale që merr dijeni policia;
- tregues i rritjes së forcës goditëse në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar,
- tregues i rritjes viti pas viti të evidentimit të rasteve të dhunës në familje, me synim parandalimin e saj, si dhe tregues i rritjes së evidentimit të veprave të lehta penale, përfshi dhe kundravajtjet penale dhe evidentimin e shkeljeve në fushën e qarkullimit rrugor.
Krimet e rënda
Evidentimi dhe ndjekja e krimeve të rënda ka shënuar arritje pozitive, si në drejtim të uljes ashtu dhe parandalimit. Në vitin 2012 u evidentuan 513 krime kundër personit dhe u zbuluan 474 ose 92% e tyre. Krahasuar me një vit më parë, krimet kundër personit kanë një ulje me 16 raste, si dhe rritje t forcës zbuluese me, duke qenë në nivelet më të larta të viteve të fundit.
Gjate vitit 2012 janë evidentuar 125 vrasje me dashje dhe janë zbuluar 106 prej tyre ose 84.8%, Nga 106 vrasje të zbuluara, 26 vrasje janë kryer brenda familjes, 22 në grindje të çastit, 15 për motive pasurore, 8 për motive gjakmarrje, 4 për motive hakmarrje, 1 për shkak te cilësive të veçanta dhe 30 të tjera për motive te dobëta.
Sikundër tregojnë dhe shifrat ka një ulje të numrit të krimeve kundër jetës, në raport me një vit më pare me 16 krime më pak dhe, paralelisht, zbulueshmëria është rritur ndjeshem, me rreth 5% më shumë se një vit më parë. Vlen të nëvizohet se është rritur ndjeshëm forca parandaluese. Janë parandaluar 220 vrsaje të mbetura në tentativë dhe zbuluar 207 ose 95% e tyre, pra 4.2% me shumë se në vitin 2011, ku u evidentuan 211 vrasje të mbetura në tentative dhe u zbulua 190 ose 90% e tyre.
Gjatë vitit 2012, për armëmbajtje pa leje u evdietnuan 920 raste dhe u zbulan 846 raste ose 92% e tyre, 183 raste më shumë së vitit 2011, ku evidentuan 737 raste me, 681 raste të zbuluara.
Gjatë vitit që lamë pas janë evidentuar gjithsej 692 krime të rënda kundër pronës dhe janë zbuluar 53% e tyre. Vjedhje me dhunë janë evidentuar 223 dhe zbuluar 50 % e tyre. Vjedhje me armë 99 dhe janë zbuluar 51 % e tyre, vjedhje me dhunë me pasojë vdekjen 4 dhe janë zbuluar 3. Rritja e forcës goditëse mundësoi goditjen e 55 grupeve kriminale me 212 autorë, të cilët kanë kryer 112 vepra të rënda penale kundër pronës.
Strukturat e hetimit te krimeve te hapura gjatë vitit 2012 kanë evidentuar gjithsej 15.350 vepra penale të lehta, nga të cilat janë zbuluar 12454 vepra penale ose 81 %.
Edhe gjatë vitit që lamë pas, nëpërmjet kontrollit të territorit me shërbime të patrullës së përgjithshme, hetimit dhe parandalimit të krimit, u garantua një mjedis edhe më i sigurt për komunitetin. Indikatorët matës të punës së Patrullës së Përgjithshme në shkallë vendi janë kanë shënuar rritje pozitive, ku u u realizuan 3.608 kapje në flagrancë ose 1. 188 kapje në flagrancë më shumë se në vitin, 2011.
• U menaxhuan 30. 977 raste konfliktesh të evidentuara nga patrulla e përgjithshme. Krahasuar me vitin 2011, kemi një ulje të ndjeshme me 26. 202 raste më pak;
Krahasuar me vitin 2011, kemi rritje të zbulueshmërisë me 2.1%, nga 79%, në 81.1%.
Gjatë vitit 2012, krahas ndjekjes së ngjarjeve të ditës është punuar më përgjegjësi dhe seriozitet për zbulimin e krimeve të vjetra. Kështu, është mundësuar zbulimi i 435 veprave penale të vjetra të pazbuluara, ose 137 vepra penale më shumë se një vit më pare. Nga veprat penale të vjetra të zbuluara, 90 prej tyre janë vepra penale të rënda kundër pronës e personit si: vrasje 10 raste; vjedhje me dhunë 29 raste; vjedhje me armë 26 raste, etj.
Dhuna në familje.
Janë evidentuar 2. 526 raste të dhunës në familje ose 345 më shumë se vitin e kaluar. Kjo rritje pasqyrohet edhe në rritjen e numrit të kërkesë padive për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, duke paraqitur 217 kërkesë padi më shumë se në vitin 2011. Gjatë këtij viti kanë ndodhur 2 vrasje me pak brenda familjes se një vit më parë.
Trajtimi Infromacionit
Gjatë vitit 2012 nga strukturat e policisë së shtetit janë administruar dhe ndjekur gjithsej 43.120 informacione ose 75 % më shumë se një vit me pare.
Janë kapur 2. 052 persona të kërkuar ose 4.6% më shumë se një vit më parë.
Shërbimet e rendit kanë pritur rreth 130 mijë telefonata nga publiku, ose 12 % më shumë se një vit më parë. Ky tregues në rritje të përhershme tregon qartë për forcimin e besimit të publikut tek Policia e Shtetit, për standarde të larta të komunikimit dhe administrimit të informacionit, si dhe për përgjegjshmëri të punonjësve të policisë në trajtimin korrekt e ligjor të problemeve të denoncuara.
Siguria Rrugore
Realizimi i detyrave për rritjen e parametrave të Sigurisë Rrugore, garantimin e një trafiku normal për përdoruesit e rrugës, parandalimin e aksidenteve automobilistike, rritjen e edukatës rrugore dhe të besimit në komunitet ka qenë dhe do të vazhdojë të mbetet një ndër prioritetet e shërbimeve të policisë rrugore.
Për vitin 2012 evidentohet ulje e numrit të përgjithshëm të aksidenteve me 6 raste, krahasuar me vitin 2011. Konstatohet se ka rritje të numrit të aksidenteve në autostrada, por nga ana tjetër, kemi ulje numerike të aksidenteve në rrugët urbane kryesore e dytësore, si edhe në rrugët lokale.
Veçanërisht gjatë periudhës së verës dhe shtimit të numrit të turistëve që vijnë në vendin tonë gjatë muajve të sezonit veror dhe festave të fundvitit, në këto periudha konstatohet një shtim i mjeteve në qarkullim me mbi 200.000 mijë mjete në muaj.
Gjatë vitit 2011 numri i mjeteve me targa të huaja që hynë në territorin e Shqipërisë ishte 816.790 mjete, ndërsa gjatë vitit 2012 hynë 896.160 mjete, ose rreth 80 mijë mjete më shumë. Sikundër duket, gjatë këtyre periudhave numri i mjeteve në qarkullim rritet mbi dy herë. Kjo ka sjellë edhe rritjen e numrit të aksidenteve dhe pasojave veçanërisht gjatë muajve qershor, korrik, gusht dhe dhjetor. Kjo rritje e numrit të mjeteve në qarkullim gjatë muajve këtyre muajve ka sjellë si pasojë shkaktimin e 42 – 45 % të numrit të përgjithshëm të aksidenteve të ndodhura me përfshirje të mjeteve me targa të huaja, ndërsa gjatë gjithë vitit numri i aksidenteve me pjesëmarrje të mjeteve me targa të huaja përbën rreth 27 % të të gjithë aksidenteve.
Në muajin shtator, në funksion të masave për përmirësimin e situatës së trafikut rrugor, në muajin shtator u bë riorganizimi i plotë shërbimit të policisë rrugore. Në bazë të këtij riorganizimi është kryer ndarja e përgjegjësive të strukturave të policisë rrugore. Për mbikëqyrjen dhe drejtimin e trafikut rrugor në rrugët urbane dhe interurbane dytësore funksionojnë 12 komisariate të trafikut pranë drejtorive të policisë së qarqeve, ndërsa për mbikëqyrjen dhe drejtimin e trafikut rrugor në autostrada dhe rrugëve interurbane kryesore funksionojnë 3 komisariate të menaxhimit të trafikut interurban.
Menaxhimi i integruar i kufijve,
Veprimtaria e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin për vitin 2012 është përqendruar, kryesisht, në realizimin e objektivave të Strategjisë Sektoriale për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe përmirësimin e infrastrukturës ligjore në përqasje me legjislacionin e BE-së.
Policia kufitare ka përballuar këtë vit një fluks rekord të qarkullimi të njerëzve dhe automjeteve, duke përpunuar në Pikat e Kalimit Kufitar 534. 885 shtetas dhe 75. 354 mjete më shumë se në vitin 2011.
Gjatë vitit 2012 u trajtuan në total 7. 580. 386 shtetas shqiptarë, 6.430.654 shtetas të huaj si edhe 3. 572. 436 automjte, që kanë hyrë dhe kanë dalë në territorin e Shqipërisë, në të gjitha pikat e kalimeve kufitare.
Pavarësisht këtij fluksi të shtuar, si rezultat i punës shumë profesionale dhe masave të shtuara, për herë të parë, në vitin 2012 fenomeni i radhëve të gjata apo pritjes së pafund në kufijtë shqiptarë u zhduk përfundimisht.
Nga monitorimi i procesit të lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë e të huaj rezulton se gjatë vitit 2012 është rritur numri i shtetasve të huaj me 15%, krahasuar me vitin 2011, çka dëshmon edhe nga ky këndvështrim faktin se siguria e rendi publik është në parametra mjaft të lartë. Edhe pse në një fluks shumë të madh lëvzijes si rezultat i vëmendjes së shtuar, veprat penale të evidentuara në kufi dhe nëpërmjet tij për vitin 2012 pësuan ulje numerike të ndjeshme.
U evidentuan 166 vepra penale më pak se në vitin 2011, të cilat konsistojnë, kryesisht, në uljen rreth 3 herë të shifrave të trafikimit të mjeteve motorike dhe kalimit të paligjshëm të kufirit.
Vlen për të përmendur goditja e suksesshme e trafikimit të lëndëve narkotike në 16 raste, ku u sekuestruan rreth 7 ton kanabis, 50 kg heroinë dhe mbi 1 kg kokainë, më shumë se në vitin 2011.
Janë kapur, gjithashtu, 433 persona në kërkim, nga të cilët 41 në kërkim ndërkombëtar dhe 191 të kërkuar për llogari të Policisë së Kosovës. Strukturat e kufirit dhe Migracionit kanë punuar edhe për përmirësimin e legjislacionit në përqasje me të drejtën komunitare, duke miratuar 5 marrëveshje dhe një protokoll për zbatimin e marrëveshjes së ripranimit.
Menaxhimi i burimeve njerëzore.
Një aspekt i rëndësishëm i punës së policisë për vitin 2012 ka qenë mbështetja dhe plotësimi i nevojave të strukturave operacionale me burime njerëzore të kualfikuara, materiale, financiare dhe teknologji informacioni bashkëkohore.
Ndryshimet strukturore, emërtimeve dhe kalimi i disa funksioneve operacionale në funksione të shërbimeve mbështetëse, mundësoi rritjen e kapaciteteve profesionale të Policisë së Shtetit, kjo si rezultat edhe i trajnime të punonjësve të policisë, në përputhje me kërkesat e detyrës.
Vlen të theksohet se për t’u pranuar në strukturat e policisë kanë aplikuar një numër i konsiderueshëm shtetasish me arsim të lartë. Pas konkurrimit rreth 95 % e personave të pranuar në strukturat e policisë, janë me arsim të lartë, pavarësisht se kriteri minimal i shkollimit është arsimi i mesëm.
Me qëllim krijimin e një trupë policore profesionale dhe me standarde të njëjta, në zbatim të Ligjit “Për Policinë e Shtetit”, ka filluar procesi i trajnimit të punonjësve të nivelit zbatues në shkollën bazë të policisë. Këta punonjës zëne rreth 70% të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe trajnimi i tyre, nëpërmjet shkollës baze të policisë do të përfundojë brenda 6-mujorit të parë të vitit 2013. Numri total i punonjësve të policisë që kanë kaluar në trajnim dhe shkollim për vitin 2012 kap shifrën e 11. 500 punonjësve, disa prej të cilëve janë trajnuar në më shumë se një kurs.
Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit ka ndjekur me përparësi zgjerimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të komunikimit dhe menaxhimit të informacionit. Në këtë kuadër, u iniciuan e zbatuan disa projekte për automatizimin e proceseve të punës së strukturave të policisë si;
• Ngritja e modulit të menaxhimit të çështjes dhe regjistri elektronik i të huajve në sistemin TIMS;
• U realizua lidhja me sistemin e të dhënave për njësitë e policisë rrugore Gjirokastër, Shkodër, Porti Durrës dhe prokuroritë e rretheve.
• Projekti E-Gjobë u lidh me të dhënat e Drejtorisë së Transportit Rrugor për shkëmbimin e informacionit midis palëve.
• Përfundoi faza e parë e projektit të vëzhgimit me kamera të qytetit të Tiranës.
Thellimi bashkëpunimit e koordinimit ndërkombëtar policor.
Bashkëpunimi me organizatat homologe dhe organizmat ndërkombëtare policore vlerësohet si një nga prioritetet, por edhe arritjet më kryesore të Ministrisë së Brendshme e Policisë së Shtetit, edhe për vitin që lamë pas. Veprimtaritë e shumta, të iniciuara nga strukturat e bashkëpunimit ndërkombëtar, i kanë dhënë një impuls të fuqishëm bashkëpunimit me partnerët e huaj, një imazh të ri e të respektuar organizatës sonë dhe me ndikim pozitiv për mirëkuptim reciprok.
Gjatë vitit 2012, u kryen në total 75 operacione ndërkombëtare, ose 25 me shumë se në vitin 2011, me 50 të tilla.
Bashkëpunimi i shkëlqyer me EUROPOL dhe niveli i lartë profesional që ka arritur organizata i hapi rrugën nënshkrimit të marrëveshjes operacionale me këtë organizëm, e cila pritet të konkludohet shumë shpejt. Shqipëria është, ndër të paktat vende të Europës Juglindore, që nënshkruan një marreveshje të tillë me EUROPOL.
Zyra Qendrore Kombëtare INTERPOL vazhdon të mbajë peshën më të madhe në shkëmbimin e informacioneve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duke përpunuar 1100 praktika më shumë se në 2011. Bashkëpunimi i frytshëm me INTERPOL-in ka mundësuar arrestimin me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë të 71 personave në kërkim ndërkombëtar si dhe arrestimin me qëllim ekstradim drejt vendeve të tjera të 78 shtetasve.
Progresi i bërë nga Shqipëria në kuadër të proceseve integruese dhe jo vetëm, u reflektua gjatë vitit 2012, në marrëveshjet e shumta të nënshkruara nga MB, për bashkëpunim ndërkombëtar, në nivle dypalësh dhe shumëpalësh, duke mundësuar rritjen e kapacitetit të agjencive publike në zbatimin dhe respektimin e ligjit.
Më konkretisht marrëveshje të rëndësishme të nënshkruara janë: “Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar rrugor lokal, Trebisht-Xhepisht”; “Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë mbi bashkëpunimin e Institucioneve të zbatimit të ligjit”; “Marrëveshje e posaçme për programin e Policimit në Komunitet” ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë Suedeze”’; Marrëveshje ripranimi me Moldavinë.
Janë nënshkruar gjithashtu edhe një sërë marrëveshjesh teknike në nivel ministror, sikundër:
Marrëveshje me Shërbimin Federal të Kontrollit të Narkotikëve të Rusisë dhe Ministrisë se Brendshme për Luftën kundër drogës; Marrëveshje me Ministrinë e Brendshme të Kosovës për kryerjen e kontrolleve të përbashkëta kufitare; Marrëveshje me Ministrinë e Brendshme të Kosovës për takimet në 3 nivele të policive kufitare;
Protokolli i ripranimit me Çekinë; Protokolli i ripranimit me Bullgarinë apo edhe nënshkrimi i Marrëveshjes teknike me Francën për hapjen e Sallës së Intervistimit të të miturve në Vlorë.
Të nderuar kolegë,
Këto ishin disa nga rezultatet konkrete në punën e strukturave të Rendit dhe Sigurisë në vend, në varësi të institucionit që unë drejtoj. Ministria e Brendshme do të vijojë të mbështesë pa asnjë rezervë punën e tyre, në mënyrë që edhe në të ardhmen, të vijojë puna për garantimin e rendit dhe sigurisë publikë, për të krijuar një jetë sa më cilësore për qytetarët shqiptarë dhe komunitetin ku ata jetojnë.
Ju falëminderit!







129