Ministri i Brendshëm, z. Flamur Noka, mori pjesë në ceremoninë e inagurimit të ambienteve të Njësisë së Përbashkët për Kontrollin e Konteinerve, një program i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Kontrollin e Drogave dhe Krimit, në Tiranë, (UNODC), nën financimin e Qeverisë gjermane. Krijimi i Njësisë së Përbashkët për Kontrollin e Konteinerëve garanton tashmë një efikasitet të lartë të punës. Pajisjet me mjete moderne të kontrollit antikontrabandë dhe njësia që do t’i përdorë, e përbërë nga 6 punonjës, (2 policia kufitare, dy oficerë të antidrogës dhe 2 punonjës të doganave), të mirëtrajnuar nga homologët gjermanë, përbëjnë një tjetër garanci në zbatimin e strategjive ndërsektoriale, në luftën kundër krimit, trafiqeve të paligjshme, duke ndihmuar njëkohësisht lëvizjen e lirë dhe pa vonesa të mallrave.
Gjatë fjalës së tij, ministri i Brendshëm Noka, nënvizoi se fillimi i punës së kësaj njësie kaq të rëndësishme, që vjen si rezultat i zbatimit konkret të strategjisë ndërsektoriale në luftën kundër krimit dhe kundër trafiqeve ilegale, është një tjetër arritje në kuadrin e luftës kundër trafiqeve të paligjshme, në forcim të mëtejshëm të kufijve shqiptarë.
“Kjo njësi merr një rëndësi të veçantë, pasi është e para në portet shqiptare, funksionimi i së cilës erdhi, falë edhe ndihmës dhe asistencës së përhershme të OKB-së dhe kontributit, kundrejt kësaj zyre, që ka dhënë ambasada e RFGJ-së. Gjej rastin t’i shpreh edhe njëherë falënderimet e mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme zonjës ambasadore të RFGJ-së dhe nëpërmjet saj qeverisë gjermane.
Besojmë dhe jemi të bindur se kjo njësi e përbashkët do të rrisë edhe më shumë eficencën e strukturave të policisë dhe strukturave të doganave kundër çdo trafiku, kryesisht kundër drogave, armëve, apo mallrash ilegale. Ne besojmë dhe jemi të bindur se në kuadër të kësaj strategjie ndërsektoriale, eficenca e strukturaeve tona do të jetë shumë më e madhe në luftën me zero tolerancë kundër krimit e trafiqeve. Kufijtë tanë, në këtë rast në portin e Durrësit, do të jenë edhe më të sigurt dhe shpresojmë se një asistencë e tillë e marrëveshje të tilla të jenë të vazhdueshme në të gjitha pikat portuale të vendit tonë, me qëllim që kufijtë shqiptarë, t’i kemi tërësisht të kontrollueshëm dhe tërësisht të sigurt, në bashkëpunim edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë”, theksoi ministri Noka.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm znj. Carola Müller Holtkemper, ambasadore e Republikes Federale të Gjermanisë, zj. Zineb Touimi Benjelloun, Koordinatore e Përhershme e OKB-së në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Hysni Burgaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Flamur Gjymishka.
Në fjalën e saj ambasadorja gjermane znj. Carola Müller Holtkemper u shpreh se Qeveria gjermane do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në proceset e integrimit jo si retorikë, por me ndihma dhe projekte konkrete, ndërsa zj. Zineb Touimi Benjelloun, Koordinatore e Përhershme e OKB-së në Tiranë, shprehu gëzimin e saj që kjo iniciativë tashmë do të zbatohet konkretisht, duke mundësur kështu një njësi moderne, i cila i përgjigjet më së miri stadeve të zhvillimit dhe tregtisë së lirë që ka arritur Shqipëria.
Financimi gjerman për Portin e Durrësit, gjatë fazës së dytë të zbatimit të Programit Rajonal të UNODC mbi Forcimin e Shtetit Ligjor dhe të Sigurisë Njerëzore në Vendet e Europës Juglindore ishte 100.000 USD. Projekti për kontrollin e kontenierëve është pjesë e programit global të UNODC dhe Organizates Botërore të Doganave, i cili ka për qëllim të asistojë qeveritë e vendeve pjesëmarrëse në Program në krijimin e strukturave të qëndrueshme në disa porte, të përzgjedhura me qëllim minimizimin e rrezikut të shfrytëzimit të kontenierëve në trafikimin e mallrave të ndaluara si drogat, prekursorëve kimikë (për prodhimin e drogave dhe armëve), armëve të zjarrit, armëve të shkatërrimit në masë, materialeve nukleare dhe formave të tjera të aktiviteteve të krimit të organizuar.
Kjo njësi rrit ndjeshëm sigurinë e tregtisë përmes kontenierëve që kalojnë nga Porti i Durrësit dhe përbën një tjetër dëshmi të zbatimit rigoroz të strategjive ndërsektoriale në luftën kundër krimit, dorgës dhe trafiqeve të paligjshme dhe forcimit të bashkëpunimit të agjencive të zbatimit të ligjit, si dhe rrit bashkëpunimin policor dhe civil.
Kjo iniciativë vjen në përputhje me parametrat dhe direktivat e BE-së, që synojnë luftën kundër kontrabandës dhe trafikut të drogave, të lidhura këto me luftën kundër krimit të organizuar transnacional dhe korrupsionin.
Njësia e Përbashkët e kontrollit të kontenierëve, Portin e Durrësit, përdor tashmë metodat më bashkëkohore në luftën kundër aktiviteteve ilegale, metoda që përdoren, tashmë edhe në kufijtë tokësorë dhe që kanë mundësuar arritje shumë pozitive në luftën kundër drogës dhe trafiqeve të tjera të paligjshme, por edhe lehtëson lëvizjen e mallrave.







129