Ministri i Brendshëm, z. Flamur Noka, mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të 17 punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe Drejtorisë së Standardeve, në DPPSH, ku ishin të pranishëm edhe ambasadori i ShBA-ve, në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu, z. Stiv Benet, drejtor i pragramit ICITAP, për Shqipërinë, Këshilltari i lartë policor, Mark S. Paresi, Drejtori i përgjthshëm i Policisë së Shtetit, z. Hysni Burgaj, Drejtori i ShKB, z. Bashkim Shehu dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.
Kjo ceremoni shënoi edhe fundin e Kurseve të Avancuara të Hetimit, që programi ICITAP i ka filluar në vitin 2010, ku në total u trajnuan 65 punonjës të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Brendshme dhe 20 punonjës të Policisë së Shtetit.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri i Brendshëm z.Flamur Noka, shprehu konsideratën e lartë për kontributin e programit ICITAP në trajnimin e punonjësve të SHKB, si një kontribut që mundëson ngritjen dhe aftësimin profesional të tyre, si një prioritet i vazhdueshëm dhe i pandryshueshëm i Qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme, pasi “për Qeverinë shqiptare, Ministrinë e Brendshme një ShKB profesional, i aftë dhe i përkushtuar në detyre, është çelësi i suksesit të punës së policisë në luftën ndaj krimit, korrupsionit dhe ruajtjes së rendit e sigurisë publike”.
Duke folur për rolin e rëndësishëm të kësaj strukture ministri Noka nënvizoi:
“Lufta kundër korrupsionit si prioritet i palëvizshëm i Qeverisë, është një nga gurët e themeleve për të siguruar një qeverisje transparente, të mirë dhe një shërbim sa më cilësor ndaj qytetarit. Por kur behet fjale për luftën kundër korrupsionit dhe implikimeve antiligjore të punonjësve të policisë, ky prioritet prevalon mbi gjithçka dhe merr rëndësi edhe më të madhe. Mosrespektimi i ligjit apo çdo devijim nga misioni i ngarkuar i punonjësve të policisë mund të çojë në rritjen e veprimtarisë kriminale, uljen e zbulueshmërisë së tyre si dhe rënien e besimit të publikut ndaj vetë strukturave ligjzbatuese të shtetit. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, si një strukturë shumë e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe implikimeve të ndryshme të punonjësve të policise, me aktivitetin e tij, ofron në fakt shërbim të drerjtëpërdrejtë ndaj qytetarit dhe komunitetit ku ai jeton. Ky është dhe mbetet misioni kryesor i punës së tij: nëpërmjet mbikëqyrjes dhe monitorimit permanent të punës së policisë, t’i garantojë komunitetit një shërbim policor të përgjegjshëm dhe transparent, konfrom ligjit dhe standardeve të kërkuara.
Por, rreziku që individë të ndryshëm nga radhët e saj të përfshihen në afera korruptive apo më gjerë mbetet një shqetësim që kërkon vazhdimisht vëmendje dhe monitorim. Korrupsioni nuk është një koncept abstrakt, ai është një veprim konkret, që gjithmonë gjen terren dhe përpiqet të përhapet. Ky fenomen bëhet edhe më i rrezikshëm kur tenton të shtrijë metastazat e tij edhe në agjencitë e zbatimit të ligjit apo në rradhët organizatës së Policisë, të cilat kanë mision luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Në këtë kuadër, Ministria e Brendshme, i ka kushtuar një rëndësi të dorës së parë rritjes së profesionalizmit dhe modrenizimit të SHKB, i cili ka një rol shumë të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit në radhët e organizatës.
Ju punonjës të SHKB, si Strukturë për Parandalimin e Luftën kundër Korrupsionit në radhët e Policisë së Shtetit, te Ministria e Brendshme dhe tek unë personalisht, do të gjeni gjithmonë aleatin tuaj më të ngushtë, që të përmbushni misionin tuaj në mënyrë të paanshme, profesionale dhe efiçente, për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore dhe disiplinore, çdo punonjës policie që kryen shkelje ligjore pavarësisht gradës apo detyrës që ai kryen. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, njohur arritje të kënaqshme, duke mundur të harmonizojë dhe gërshetojë hetimet proaktive me ato aktive, veprimtarinë e strukturave të saj hetimore me ato të strukturave inspektuese, duke rritur bashkëpunimin dhe bashkëveprimin brenda vetë strukturave të shërbimit në nivel qendror e vendor, si edhe me strukturat e Policisë së Shtetit, me Prokurorinë, me Shërbimin Informativ Shtetëror, dhe agjenci të tjera ligjzbatuese”.
Ministri Noka është ndalur veçanërisht edhe rolin e rëndësishëm që ka luajtur në këtë përmirësim të vazhdueshëm të performancës së SHKB, ndihma e pakursyer e partnerëve ndërkombëtarë dhe sidomos programi ICITAP.
“Programi ka mundësuar ardhjen si trajnues të shumë oficerëve me një eksperiencë të gjatë dhe të suksesshme në fusha të ndryshme të hetimit të krimit, inspektimit dhe mbikëqyrjes policore, nga ShBA, Britania e Madhe, etj. Ata kanë ndarë eksperiencat dhe praktikat më të mira në fushën e parandalimit dhe luftës kundër korrupsionit dhe mbikëqyrjes policore. Gjej këtu rastin të shpreh falënderimet më të sinqerta për Departamentin e Drejtësisë së SHBA-ve, ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, por edhe gjithë ekspertët që kanë përcjellë eksperiencën e tyre të vyer të kolegët shqiptarë. Kjo ndihmë është konkretizuar jo vetëm në kuadër të këshillimit dhe asistencës ligjore, por edhe në trajnimin e vazhdueshëm të personelit të SHKB-së. Në sajë të këtij bashkëpunimi të ngushtë, strukturat e SHKB-së kanë rritur efikasitetin dhe eficencën në punë e tyre, duke marrë vlerësimet më të larta edhe në të gjitha Raport-Progreset e BE-së të viteve të fundit. Në to është vlerësuar forcimi i kapaciteteve të kontrollit të brendshëm dhe konsolidimi i ndjekjes penale për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, por edhe mirëfunksionimi dhe mbështetja me një buxhet të vetëplanifikuar dhe vetëmenaxhuar.
Shpreh bindjen e thellë se bashkëpunimi frytdhënës dhe ndihmesa e vazhdueshme e programit ICITAP, Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, si një ndihmë shumë e çmuar dhe e vlerësuar, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me synim konsolidimin profesional të strukturave të agjencive të zbatimit të ligjit, me qëllimin e përbashkët: luftë pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit”, theksoi ministri i Brendshëm, z. Flamur Noka.
Ndërsa ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, z. Arvizu u shpreh se jam shumë i kënaqur që gjendem këtu, pasi “ceremonia e diplomimit të sotëm të kursit të hetimit të avancuar, pasqyron vlerën e përpjekjeve tona të përbashkëta për të zhvilluar aftësitë profesionale. Në përgjigje të nevojës për trajnim të punonjësve të policisë së shtetit dhe të SHKB, me qëllim adresimin e shkeljeve dhe korrupsionit të efektivave të policisë, ICITAP nisi një program afatgjatë për të rritur performancën e hetuesve dhe për të adresuar çështjen e llogaridhënies policore. Duke filluar nga 2010, kursi 4-javor bazë për hetimin e prezantuar të gjithë policisë së shtetit dhe hetuesve të SHKB. Ky kurs i avancuar nisi në 2012 dhe ndërtua mbi instruksionet fillestare. Ai u ofroi studentëve më shumë aftësi përgatitore, teknike për hetimin e ndikimit të krimit të organizuar në polici, mbi hetimet financiar dhe praktikat më të mira në përgatitjen e ceshtjeve për zyrën e prokurorit. Ky do të jetë kursi përfundimtar gjatë përkushtimit 3-vjeçar të ICITAP për standardet profesionale të SHKB, të Policisë së Shtetit për zhvillimin, zbatimin dhe vazhdimin e trajnimit për inspektorët e hetuesit.
Edhe një herë, urime për të gjithë të diplomuarit. Shpresoj shumë që këto aftësi që keni mësuar do të jenë të dobishme në praktikë gjatë punës tuaj. Ju jeni vija e frontit në luftën kundër korrupsionit dhe ju keni fuqinë të përmirësoni kushtet për policinë si dhe për komunitetet tuaja”.
BASHKËPUNIMI ICITAP – SHKB
Programi Ndërkombëtar i Ndihmës së Trajnimit të Hetimit Kriminal (ICITAP), është një prej programeve të sponsorizuar nga Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili ka si synim përmirësimin e drejtësisë kriminale të Shqipërisë dhe sektorin e zbatimi të ligjit. Që prej vitit 1998, ICITAP ka ndihmuar Qeverinë Shqiptare, në zhvillimin e kapaciteteve efektive, profesionale dhe transparente të agjensive të zbatimit të ligjit, mbi bazën e praktikave më të mira policore, bazuar gjithnjë në respektimin e drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe luftës ndaj korrupsionit. Programi i ka ofruar një mbështetje të vazhdueshme strukturave të Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, por edhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Ndihmë kjo e konkretizuar në formën e këshillimit, trajnimit të vazhdueshëm të personelit dhe dhurimit të pajisjeve teknike bashkëkohore. Ajo është fokusuar në fushën e llogaridhënies policore, integritetit policore, parandalimin dhe luftës kundër korrupsionit, brenda rradhëve të organizatës.
ICITAP me mbështetjen e vazhdueshme edhe të partnerëve të tjerë ndërkombëtare ka mundësuar organizimin e një sërë trajnimesh, seminare e workshop-e me një larmi tematikash, për personelin hetues dhe inspektues të SHKB-së, duke filluar që nga trajnimet për:
“hetimin e ankesave të qytetarëve”;
“hetimin bazë të kryer nga personeli hetues”
“kursin e avancuar të hetimit, përdorimin e mjeteve dhe metodave speciale të hetimit si dhe kryerjen e testit të integritet”,
“trajnimet mbi metodat dhe mënyrat e inspektimit bazë si dhe inspektimin e avancuar për strukturat e kontrollit të brendshëm”, etj.
Vitin e kaluar nën kujdesin e ICITAP, punonjës të Policisë së Shtetit dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, morën pjesë Kursin e II dhe të III-të të Qendrës së Universitetit Northëestern për Sigurimin Publik (“Northwestern University’s Center for Public Safety [CPS]”), në Shkollën e Drejtuesve dhe Personelit të Policisë (SHDPP). Qëllimi i këtij programi intesiv 10-javor ishte përgatitja e drejtuesve të agjencive të zbatimit të ligjit për poste të larta, nëpërmjet gërshetimit me një stil të veçantë parimet akademike dhe zbatimet praktike.
ICITAP ka sjellë si trajnues oficerë policie me një eksperiencë të gjatë dhe të sukseshme në fusha të ndryshme të hetimit të krimit, të inspektimit dhe mbikqyrjës policore, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe etj.
Vetëm gjatë periudhës Janar 2012 – Shkurt 2013 janë zhvilluar 10 trajnime brenda dhe jashtë vendit, për hetimin dhe inspektimin e avancuar nga strukturat e kontrollit të brendshëm, përdorimin e mjeteve dhe metodave speciale të investigimit, si dhe menaxhimit të lartë policor. Në këto trajnime kanë marrë pjesë 65 punonjës të personelit hetues dhe inspektues të shërbimit, të nivelit drejtues, zbatues e operacional dhe 20 punonjës të PSH.
Përmirësimet e dukshme ligjore, strukturore e organizative, rekrutimi i një personeli profesional dhe trajnimi i vazhdueshëm i tij, mbështetjes logjistike e financiare të këtij shërbimi, kanë sjellë një rritje të vazhdueshme dhe konsolidim të hetimit dhe eficencës së ndjekjes penale, ndaj veprimtarisë korruptive dhe jo vetëm, që kryhet nga punonjës të Policisë së Shtetit.
Kështu gjatë vitit 2012, si rezultat i punës bashkëkoordinuese midis strukturave vendore e qëndrore të SHKB-së, bashkëpunimit ndërinstitucional, përdorimit të mjeteve dhe metodave të hetimit proaktive dhe ndjekjes së track-record (gjurmimit të rasteve), delegimit të kompetencave për vazhdimin e veprimeve hetimore proceduriale për sigurimin e provave materiale, nëpërmjet të cilave është bëre e mundur shpallja fajtor e punonjësve të policisë së inkriminuar, është arritur që të referohen në Prokurori 105 raste për 132 punonjës policie dhe 9 shtetas, nga të cilat, 1 punonjës i nivelit të mesëm drejtues, 50 punonjës të nivelit të parë drejtues, 77 punonjës të nivelit zbatues dhe 4 punonjës civilë. Arrestuar në flagrancë 19 punonjës policie dhe 7 shtetas.
Nga totali i çështjeve penale te referuara, për vepra korruptive janë referuar 64 materiale kallëzuese, për 85 punonjës policie, nga te cilët, 1 punonjës të nivelit të mesëm drejtues, 41 te nivelit parë drejtues dhe 39 të nivelit zbatues dhe 4 punonjes civile. Në gjendje arresti 12 oficer policie.







129