Ministri i Brendshëm z. Flamur Noka: Policia e Shtetit më e vendosur se kurrë për të goditur krimin, në ruajtje të rendit dhe shtetit ligjor. Dt. 25.02.2013

Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, kreu në praditen e sotme një vizitë ngushëllimi në familjen e Kryekomisar Dritan Lama, i cili u nda nga jeta, si pasojë e një sulmi kriminal për shkak të detyrës së tij.

Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta në emër të Ministrisë së Brendshme, Qeverisë dhe ato personale, z. Noka tha se humbja e parakohshme e Kryekomisarit, bashkëshortit dhe babait të përkushtuar, ka mbushur me trishtim të thellë jo vetëm familjen dhe afërmit e tij, por këdo që e ka njohur e ka punuar me të,  si dhe çdo shqiptar.

“Ministria e Brendshme dhe Qeveria shqiptare do të bëjnë gjithçka për të lehtësuar sadopak dhimbjen e familjarëve të Kryekomisarit dhe do të jenë gjithmonë pranë tyre. Kjo humbje na ka pikëlluar të gjithëve. Policia e Shtetit, gjithë efektivët e saj, janë më të vendosur se kurrë për të goditur krimin dhe çdo element kriminal, në ruajtje të rendit publik. Në këtë luftë, organizata ka patur dhe do ketë mbështetjen e plotë dhe pa rezerva të Ministrisë së Brendshme dhe Qeverisë shqiptare. Ju garantoj se kriminelët do të përballen me gjithë forcën e ligjit dhe të shtetit dhe kjo luftë me krimin do të fitohet nga shteti dhe strukturat tona të rendit dhe sigurisë”, u shpreh z. Noka.

Në vijim, Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, efektivë të Policisë, si edhe drejtues të lartë të Ministrisë së Brendshme morën pjesë në ceremonitë e lamtumirës, për nder të Kryekomisar Dritan Lama.

Homazhe kryen gjithashtu edhe Kryeministri, z. Sali Berisha, anëtarë të kabinetit qeveritar, si edhe qytetarë të thjeshtë, duke i dhënë lamtumirën dhe përkulur me respekt të thellë para trupit të pajetë të Kryekomisar, Dritan Lama, ceremoni e cila u zhvillua në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë.

Kryeministri Berisha, u shprehu ngushëllimet më të sinqerta dhe dhimbjen më të thellë familjarëve, kolegëve, efektivave  të Policisë së Shtetit dhe qytetarëve për këtë humbje.

Z. Berisha deklaroi mbështetjen tij të plotë dhe të qeverisë ndaj efektivave të policisë, në luftën e tyre pa kompromis ndaj krimit, në ruajtje dhe mbrojtje të rendit publik dhe shtetit ligjor.

Ndër të tjera, kryeministri Berisha tha: “Shpreh ngushëllimet më të sinqerta, nderimin tim më të madh për rënien në detyrë të Kryekomisarit Dritan Lama, njërin nga oficerët, kryekomisarët e shquar të Policisë së Shtetit shqiptar. Ky akt kriminal, ky akt barbar do të marrë të gjithë ndëshkimin e merituar ligjor. Qeveria do të mobilizojë çdo burim, çdo mundësi që autorët e këtij akti të shëmtuar të përballen me drejtësinë dhe të gjithë rreptësinë e ligjit shqiptar. Edhe një herë shpreh mbështetjen e plotë të qeverisë për forcat e rendit publik. I garantoj qytetarët se krimi nuk do të mundet kurrë të mposhtë vullnetin e tyre për të bërë ligjin në të katër anët e këtij vendi. Ngushëllimet më të thella familjes, miqve, të afërmve, por edhe të gjithë efektivit të Policisë së Shtetit”.

Më pas, në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, Ministri i Brendshëm Noka, drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, në prani të familjarëve dhe qytetarëve të thjeshtë, i dhanë lamtumirën e fundit Kryekomisarit Dritan Lama.

Në emër efektivave të Policisë së Shtetit, fjalën e lamtumirës e mbajti Drejtues i parë, Muharrem Furriku, drejtor në Drejtorinë e Hetimit të Krimeve të Hapura. Në fjalën e tij, z.Furriku theksoi se Kryekomisar Dritan Lama gjatë gjithë karrierës së tij në strukturat e Policisë së Shtetit, është shquar për korrektësi, figurë të pastër morale, përkushtim, rezultate të larta dhe profesionalizëm gjatë ushtrimit të detyrës përmes zbatimit me korrektësi të ligjit, si dhe për marrëdhënie shumë të mira me kolegët dhe komunitetin, duke fituar dhe gëzuar respektin dhe mirënjohjen e plotë të tyre. “Familja, miqtë, kolegët, dhe bashkëqytetarët e tij do ta kujtojnë gjithmonë  Dritanin si birin më të mirë e të përkushtuar, si një prind shembullor e të devotshëm, si një mik e shok bujar, të dashur dhe zemërmirë dhe komuniteti si një njeri me cilësi të larta morale që i shërbeu pa u lodhur në çdo moment të jetës së tij. Guximi, vendosmëria, forca dhe vepra jote do të frymëzojë gjeneratat në Policinë e Shtetit në përpjekjet për të bërë jetën e qytetarëve më të sigurt. Policia është gjithmonë në mbrojtje të sigurisë dhe jetës dhe gjaku i Dëshmorëve të Policisë, që me jetën e tyre u bënë mburojë e vlerave më të larta njerëzore, është kontributi më i çmuar për funksionimin e shtetit ligjor. Sakrifica sublime e të rënëve të policisë është treguesi më i qartë i vlerave  njerëzore dhe profesionalizmit të punonjësve të Policisë së Shtetit që çdo ditë, çdo çast, jetën e mbrojnë me jetë”, tha ndër të tjera Drejtuesi i parë, Muharrem Furriku.