Historik i shkurtër i Ministrisë së Brendshme të shtetit shqiptar, 1912 – 2012
Ministria e Punëve të Brendshme e shtetit shqiptar është krijuar më 4 dhjetor 1912, ditë kur u miratua kabineti i Ismail Qemalit nga Kuvendit Kombëtar në Vlorë.
Por organizimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme në vitet 1913 – 1920 do të ishte i vështirë për shkak të rrethanave në të cilat kalonte Shqipëria. Edhe Delegacia e Punëve të Brendshme me qendër në Durrës në vitet 1918 – 1920, nuk arriti të funksionojë apo të krijojë një model qeverisje.
Pas Kongresit të Lushnjes, qeveria vendosi thirrjen e organizatorëve të huaj për organizimin e administratës. Për postë-telegrafat, financat, bujqësinë, shëndetësinë, administratën, kadastrën, xhandarmërinë, policinë, drejtësinë dhe arsimin e mesëm, u vendos të thirreshin specialistë austriakë.
Ministria e Punëve të Brendshme kishte në varësi 10 prefektët që ishin autoriteti më i lartë vendor.
Organizimi strukturor i MPB-së në vitet 1920 – 1925
Nga fillimi 31 janari 1920 e deri më 31 dhjetor 1921 Ministria e Punëve të Brendshme funksiononte, si më poshtë: Zyra e këshilltarit, Kryesekretarinë, Drejtoria e Shtetit Civil, Drejtoria e Jetëshkrimit, Drejtoria e Shtypit.
Pasi ministër i Punëve të Brendshme u bë sërish Ahmet Zogu, më 1 janar 1922 u bë riorganizimi i MPB e cila ndahej si vijon: Sekretaria e Përgjithshme, Seksioni I, Seksioni II, Seksioni III, Seksioni IV (Shteti Civil), Seksioni V (Shtypi), Zyra Sekrete.
Duke qenë se Ministria e Punëve të Brendshme ishte akoma pa një ligj organik, më 30 maj 1923 MPB-ja i dërgoi kryesisë së Këshillit të Ministrave ligjin organik të MPB-së, në bazë të të cilit kjo e fundit përbëhej nga: Këshilli i Ministrisë, Sekretaria e Përgjithshme, Sekretaria Sekrete, Sekretaria Private, Seksioni I, Seksioni II, Seksioni III, Seksioni IV, Inspektoria.
- Sekretaria e përgjithshme formohej prej sekretarit të përgjithshëm e kopistit. Sekretari i përgjithshëm përgjigjej për verifikimin e administratës, ndihmonte ministrin dhe plotësonte çdo vepër të urdhëruar prej tij, përgatiste të gjitha projektligjet, rregulloret e nevojshme, librin e qarkoreve, rregullimin e korrespondencës kryesore midis ministrit dhe ministrave të tjerë dhe nënshkruante qarkoret për prefektët. Ai kryesonte Këshillin e Ministrisë, inspektonte ministrinë dhe ishte përgjegjës para ministrit.
- Sekretaria Sekrete përbëhej prej nëpunësit e ndihmësit. Nëpunësi quhej sekretar i shifrës. Ai siguronte gjithë korrespondencën sekrete të MPB-së, ruante çelësat e shifrës, kthente shifrat në letra dhe e kundërta. I paraqiste detyrimisht ministrit çdo shkresë sekrete, të cilat për dërgim duhej të kishin patjetër firmën e tij. Ndihmësi i sekretarit protokollonte e kopjonte aktet rezervante dhe mbante dosjet në rregull.
- Sekretaria Private formohej prej sekretarit, i cili siguronte korrespondencën private të brendshme e të jashtme, si dhe gjithë veprimet e tjera të ministrit dhe caktonte gjithë veprimet kësodore të ministrit, si dhe vizitat e tij.
- Seksioni I përbëhej prej drejtorit, llogaritarit, llogaritar – arkivist, kopist dhe për protokollin e përgjithshëm një numëratori. Drejtori siguronte korrespondencën dhe rregullin administrativ dhe ndiqte të gjitha veprimet zyrtare të prefekturave Korçës, Gjirokastër, Vlorë, Elbasan, përfshirë këtu edhe çështjen e emërimeve, jetëshkrimeve, pushimeve, transferimeve, qortimeve, ndëshkimeve.
- Seksioni II formohej prej drejtorit, sekretarit, protokollist – arkivist, kopist. Ky ishte për Shkodrën, Kosovën, Durrës, Beratin dhe Nënprefekturën e Tiranës. Rreshtonte në MPB të gjitha lutjet, etj, si dhe përgatiste rregullisht librin e përvitshëm mbi të gjithë administratën.
- Seksioni (Shteti Civil) formohej prej drejtorit, sekretarit e kopistit. Drejtori rregullonte gjithë veprimin e shtetit civil e të pasaportave të shtetit dhe siguronte mirëzbatimin e ligjeve dhe të rregullave për këtë qëllim, si dhe të rreshtonte korrespondencën me zyrat e shtetit civil me prefekturat e me ministritë e ndryshme, të përgatiste urdhrat e emërimit dhe pushimit ose zhvendosjes së nëpunësve të vet, të formulonte urdhrat e emërimit e pushimit, të formulonte urdhrat e emërimit e pushimit, leje të nëpunësve, formulimin e statistikave të rregullta të shtetit (lindje, vdekje, martesa, etj) dhe të merrte masat e duhura për një regjistrim të saktë të ministrisë (i shtohej edhe rekrutimi i shtetasve).
- Seksioni IV (Shtypi) përbëhej prej drejtorit, sekretarit e kopistit. Drejtori studionte çdo gazetë që botohej në vend dhe jashtë dhe lajmëronte ministrin e Punëve të Brendshme ose të tjerët, sipas temës. Drejtori administronte edhe -Fletorja Zyrtare- dhe u jepte gazetave lajme të brendshme, si dhe kishte të drejtën e përgënjeshtrimit.
- Inspektoria formohej prej dy inspektorësh që inspektonin prefekturat, nënprefekturat, krahinat, zyrat e shteti civil, xhandarmërinë, bashkitë, institutet.
- Këshilli i Ministrisë: kryesohej nga sekretari i përgjithshëm dhe përbëhej nga drejtorët e seksioneve. Vendoste emërimet, gradimet, transferimet e nëpunësve të MPB-së përmes drejtorisë së qendrës. Vendimet merreshin me shumicë votash, por miratoheshin prej ministrit.
Ministria e Punëve të Brendshme vitet 1925 – 1939
Në vitin 1925 MPB u thjeshtësua në: Seksioni I, Seksioni II, Zyra Sekrete. Në vitin 1926 organizatorët britanikë vendosën një modelim të thjeshtë të ministrisë. Pasi nënprefekturat u lidhën drejtpërdrejt me MPB-në, u ngritën: Drejtoria e Departamentit Jug e Qendër, Drejtoria e Departamentit Veri e Lindje dhe Shtetit Civil, Drejtoria e Shtypit, Zyra Sekrete.
Në vitin 1928 Ministria e Punëve të Brendshme, pësoi një riorganizim të ri me ligjin e 11 qershorit 1928. Administrata qendrore e MPB-së përbëhej nga:
- Sekretaria e Përgjithshme.
- Drejtoria e Korrespondencës.
- Drejtoria e Shtetit Civil, Statistikës, Emigracionit, e -Fletores Zyrtare
- Zyra Sekrete e Private.
- Inspektoria dhe Llogaritari.
Në varësi të ministrisë, por jo brenda saj ishin edhe policia, xhandarmëria, dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shëndetësisë.
Sipas ligjit të mësipërm organik të vitit 1928, sekretari i përgjithshëm ishte autoriteti më i lartë i administratës, ndërsa kishte të drejtën e nënshkrimit të akteve në mungesë të ministrit.
MPB-ja gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, 1939 – 1945
MPB-ja gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore zhvilloi detyra të shumta të karakterit politik, administrativ, shoqëror, sigurimi publik, shëndetësor, urbanistik, etj. Meqenëse tashmë u fillua një organizim i ri, ministria përbëhej prej 11 zyrash:
- Sekretatia e Përgjithshme
- Drejtoria e Përgjithshme e Policisë
- Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë
- Drejtoria e Kryqit të Kuq
- Drejtoria e Personelit
- Drejtoria e Administratës Civile
- Drejtoria e Enteve Komunalë
- Drejtoria e Shërbimeve të Inspektimit
- Drejtoria e Llogarisë dhe Ekonomatit
- Drejtoria e Zyrës Politike (shërbimi sekret)
- Drejtoria e Zyrës Qendrore për Ndërtimit dhe Urbanistikës
- Drejtoria e Zyrën Qendrore të Kapitenerive të Portit.
Nga këta, Zyra e Punëve të Përgjithshme dhe e instituteve të prevencionit e ndëshikimit merrej me shoqata e shoqëri, moralin publik, fatkeqësi publike, institute ndëshkimi, personeli i rojeve. Zyra e Inspektorisë së përgjithshme, mbikëqyrte punën e zhvilluar prej inspektorëve krahinorë.
Ministria e Punëve të Brendshme gjatë viteve 1944 – 1991
Përvoja e këtyre viteve në drejtim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, do të shkatërrohej në vitin 1944, kur qeveria komuniste e dalë nga mbledhja e Përmetit (maj 1944), do të krijonte Ministrinë e Punëve të Brendshme sipas modeleve sovjetike, duke e synuar në radhë të parë ta kthente atë në një ministri policie për ndjekjen dhe masakrimin e kundërshtarëve politikë. Morën fund në këtë kohë organizimi i xhandarmërisë, policisë, shërbimit sekret, etj. Në vitin 1945, MPB kishte 3 drejtori:
- Drejtoria e Administratës
- Drejtoria e Personelit
- Drejtoria e Policisë
Deri në këtë kohë shërbimi informativ komunist i quajtur Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, varej drejtpërdrejt nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare.
Një vit më vonë ai do të DMP do të shkrihej dhe do të kalonte në MPB me emrin Drejtoria e Sigurimit të Shtetit.
MPB-ja e pas vitit 1944, si institucion me modelim sovjetik, ndryshonte shumë nga ajo e mëparshmja, duke u identifikuar më shumë me një instrument dhune sesa pushteti civil.
Ajo përgjithësisht deri në vitin 1990 kishte tri drejtori kryesore:
- Drejtoria e Policisë.
- Drejtoria e Kufirit.
- Drejtoria e Sigurimit të Shtetit.
Drejtoria e Hetuesisë për një pjesë të madhe kohe ka qenë në përbërje të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Në krye të tyre qëndronte një person ushtarak që ishte ose jo zëvendësministër.
Në Platformën e Byrosë Politike të KQ të PPSH-së më 1985, organet e punëve të brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë cilësoheshin -një armë e fuqishme e diktaturës së proletariatit, një repart politik dhe ushtarak i saj që udhëhiqen nga Partia e Punës e Shqipërisë për të zbuluar dhe shpartalluar veprimtarinë armiqësore dhe keqbërëse të armiqve të brendshëm e të jashtëm, për të mbrojtur fitoret e revolucionit e atdheun socialist, për të garantuar triumfin e çështjes së komunizmit-. Ky ishte dhe thelbi i Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë viteve të diktaturës.
Ministria në vitet 1991 – 2012
Në majin e vitit 1991 për herë të parë në historinë e qeverive shqiptare në vite, vjen një ministri e re. Në vend të Ministrisë së Punëve të Brendshme, u krijuan Ministria e Rendit Publik dhe Ministria e Komitetit të Sigurimit Kombëtar. Shqipëria u bë i dyti vend në Europë që praktikoi modelin e Ministrisë së Rendit Publik.
Në vitin 1994 u krijua Ministria e Brendshme, e cila përfshinte brenda saj edhe pushtetin vendor. Në vitin 1998 me shkrirjen saj u krijua Ministria e Rendit Publik dhe Ministria e Pushtetit Vendor. Më 2005 u rikrijua Ministria e Brendshme.
Ministrat e Brendshëm nga Mufit Libohova te Flamur NOKA:
Mufit Libohova 1912 – 1913
Esat Toptani 1913
Hasan Prishtina 1913
Fejzi Alizoti 1913 – 1914
Esat Toptani 1914
Aqif Pashë Elbasani 1914
Shahin Dino 1914 – 1916
Mehdi Frashëri 1918 – 1920
Ahmet Zogu 1920
Mehdi Frashëri 1920 – 1921
Sulejman Delvina 1921
Bajram Fevzi 1921
Luigj Gurakuqi 1921
Rauf Fico 1921
Ahmet Zogu 1921 – 1924
Shefqet Vërlaci 1924
Abdurrahman Dibra 1924
Rexhep Shala 1924
Abdurrahman Dibra 1924
Ahmet Zogu 1925
Ceno Kryeziu 1925
Musa Juka 1925 – 1927
Abdurrahman Dibra 1927 – 1928
Kostaq Kotta 1928 – 1930
Musa Juka 1930 – 1935
Et-hemToto 1935 – 1936
Musa Juka 1936 – 1939
Zef Kadarja 1939
Maliq Bushati 1939 – 1941
Mustafa Kruja 1941 – 1943
Fiqri Dine 1943
Mark Gjon Markaj 1943
Kolë Bibë Mirakaj 1943
Xhaferr Deva 1943 – 1944
Fiqri Dine 1944
Ibrahim Biçakçiu 1944
Haxhi Lleshi 1944 – 1946
Koçi Xoxe 1946 – 1948
Nesti Kerenxhi 1948
Mehmet Shehu 1948 – 1954
Kadri Hazbiu 1954 – 1980
Feçorr Shehu 1980 – 1982
Hekuran Isai 1982 – 1989
Simon Stefani 1989 – 1990
Hekuran Isai 1990 – 1991
Gramoz Ruçi 1991
Aredin Shyti 1991 (MRP)
Bajram Yzeiri 1991
Vladimir Hysi 1991 – 1992
Bashkim Kopliku 1992 – 1993
Agron Musaraj 1993 – 1996 (4 dhjetor 1994 MB)
Halit Shamata 1996 – 1997
Belul Çelo 1997
Ali Kazazi 1997
Neritan Ceka 1997 – 1998
Perikli Teta 1998 (MRP)
Petro Koçi 1998 – 1999
Spartak Poçi 1999 – 2000
Ilir Gjoni 2000 – 2002
Stefan Çipa 2002
Luan Rama 2002 – 2003
Igli Toska 2003 – 2005
Sokol Olldashi 2005 – 2007 (MB)
Bujar Nishani 2007 – 2009(Shtator 2009)
Lulzim Basha 2009 – 2011 (Mars)
Bujar Nishani 2011 – 2012
Flamur Noka 2012 – Vazhdon
Emërtesat e ministrisë në vite:
- Ministria e Punëve të Brendshme 1912 – 1914
- Delegacia e Punëve të Brendshme 1918 – 1920
- Ministria e Punëve të Brendshme 1920 – 1991
- Ministria e Rendit Publik 1991 – 1994
- Ministria e Brendshme 1994 – 1998
- Ministria e Rendit Publik 1998 – 2005
- Ministria e Brendshme 2005 – vazhdon
Godinat e Ministrisë:
- Për periudhën 1920 – 1931 ka qenë aty ku është sot biblioteka e vjetër kombëtare
- Për periudhën 1931 – 1944 ka qenë aty ku është sot Ministria e Bujqësisë
- Nga viti 1945 vazhdon të jetë në godinën ku është sot








129